Anëtarësim me detyrim i bizneseve në Dhomën Ekonomike Kombëtare, tarifat deri 70 mijë lekë/vit
Qeveria rikthen projektligjin për anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve në Dhomën Ekonomike Kombëtare.
Qeveria ka rikthyer projektligjin për anëtarësimin me detyrim të bizneseve në Dhomën Ekonomike Kombëtare, një nismë që është tentuar disa herë më parë dhe që ka hasur kundërshtime nga bizneset dhe Dhomat e Tregtisë, veçanërisht ato që përfaqësojnë sipërmarrjet e huaja. Sipas draftit, të gjitha subjektet tregtare me status aktiv në Regjistrin Tregtar do të bëhen automatikisht anëtarë të kësaj strukture “ipso lege”, pra me forcën e ligjit, ndërsa e njëjta procedurë do të zbatohet edhe për subjektet e reja.
Projektligji “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare” synon të përcaktojë kuadrin juridik për themelimin dhe funksionimin e saj, duke përfshirë përfaqësimin e interesave të sipërmarrjes private, rritjen e konkurrueshmërisë dhe integrimin në tregun vendas dhe ndërkombëtar, si dhe delegimin e disa funksioneve administrative publike. Megjithatë, përjashtim nga anëtarësimi automatik bëjnë subjektet që janë të detyruara të regjistrohen në dhoma apo organizata të tjera të krijuara me ligj të posaçëm, të cilat mund të anëtarësohen vetëm mbi bazë vullnetare.
Tarifat dhe periudha tranzitore
Sipas projektligjit, bizneset nuk do të paguajnë tarifë për dy vitet e para, ndërsa pas kësaj periudhe subjektet që nuk janë pjesë e tatim fitimit do të paguajnë 1,000 lekë në vit. Për subjektet e tjera, tarifa do të miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe do të bazohet në kritere si madhësia e ndërmarrjes, numri i punonjësve dhe xhiroja vjetore, por në çdo rast nuk mund të tejkalojë 70,000 lekë në vit.
Tarifa vjetore e regjistrimit bëhet e detyrueshme pas përfundimit të periudhës dyvjeçare dhe duhet të paguhet përmes sistemit bankar jo më vonë se data 30 prill e vitit pasardhës. Për subjektet që regjistrohen për herë të parë, tarifa fillestare do të jetë 1,000 lekë, ndërsa më pas do të aplikohen të njëjtat rregulla si për bizneset e tjera.
Ligji parashikon gjithashtu se mosshlyerja e tarifës përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas përcaktimeve të akteve nënligjore në fuqi.
Funksionimi dhe shërbimet
Dhoma Ekonomike Kombëtare do të funksionojë si person juridik me autonomi institucionale, organizative dhe financiare, duke ushtruar funksione përfaqësuese dhe koordinuese për bizneset. Gjatë periudhës tranzitore, ajo do të ketë autonomi të pjesshme nën mbikëqyrjen e shtetit. Institucioni do të ketë selinë në Tiranë, me mundësi zgjerimi në qarqe të tjera dhe jashtë vendit, si dhe do të përfshijë dhoma sektoriale dhe një këshill biznesi me rol konsultativ.
Ndër funksionet kryesore të saj përfshihen mbështetja e sipërmarrjeve në proceset e regjistrimit dhe licencimit, bashkëpunimi për integrimin evropian të biznesit, si dhe lëshimi i certifikatave të ndryshme si ato të origjinës, “Carnet ATA” dhe “Carnet TIR”, në përputhje me konventat ndërkombëtare. Gjithashtu, Dhoma do të kryejë analiza dhe studime ekonomike për të mbështetur zhvillimin e tregut.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)